Në çdo kulturë secili popull ka emërtimet dhe karakterizimin e vet.
Për shembull, kur arabët kërkojnë të Lavdërojnë dikë për bujarinë e tij, përdorin një shprehje:
“Ai është Hatim et-Taij”.
Natyrshëm kur dëgjon shprehje që lidhen me personazhe konkrete, kureshtja bëhet edhe më e madhe.
Vallë kush ka qenë ky njeri?!
Hatim et-Taij është babai i sahabiut të nderuar Adij ibn Hatim, i cili ka vdekur rreth viteve 578 edhe pse të dhënat nuk janë të faktuara.
Hatim është shquar për poezinë dhe bujarinë e tij të madhe, ku për të kuptuar bujarinë e tij mjafton të përmendim dy ndodhi.
Tregon bashkëshortja e tij Neuara, dhe thotë:
Ishte një vit i thatë, bagëtia desh u shfaros, por dhe ato që mbetën thuajse nuk kishin qumësht, im shoq i largoi ato drejt kullotave të largëta.
Gjendja sa vinte dhe përkeqësohej, fëmijët thuajse nuk pushonin së qari nga uria, një natë rashë të flija, por gjumi nuk më merrte nga uria.
Për të mos e vënë në siklet tim shoq hiqesha sikur po flija, ai më foli por nuk iu përgjigja si për ta qetësuar se kam fjetur.
Pas pak një grua e thërriti aty jashtë dhe e dëgjova tek i thoshte:
-Fëmijët po vdesin urie, kanë ditë që vetëm qajnë e rënkojnë, kam ardhur duke shpresuar se nuk do më zhgënjesh.
Hatim menjëherë ia priti: -Shko merri fëmijët dhe silli këtu ndërkohë që u përgatisim darkën.
Gruaja u largua e gëzuar, ndërsa mua nuk m’u durua po i thashë:
-Kur paske mundësi të shtrosh gosti, përse nuk përpiqesh të heshtësh të tutë, fillimisht?
Ai me qetësi ma ktheu:
-Mos ki merak se do i ngop dhe të mitë madje dhe ty do të ta mbyll gojën,- mori thikën dhe ç’të shihja, ai theri hamshorin e tij dhe na ngopi të gjithëve.
(therja e kalit të shalës tek arabët ka qenë gjë shumë e rrallë që tregonte bujari).
Në një ndodhi tjetër dikush e kish pyetur:
-O Hatim! A ke takuar njeri më bujar se vetja?
-Po,- ia ktheu ai një djalosh në një fshat.
-Atëherë, na trego!
Hatim tha:
-Kam rastisur të vizitoj një vilajet të panjohur, aty kërkova të buaj tek një djalosh i panjohur.
Djaloshi i kishte dhjetë dele.
Mori një qengj dhe ma theri, e poqi dhe për të më respektuar e hapi kokën e qengjit dhe më vendosi trutë e tij në pjatë.
Mua më pëlqyen shumë trutë e qengjit ndaj dhe nuk e fsheha pëlqimin tim, ai mori thikën dhe doli jashtë, kur dola për të larë duart u habita, pasi i kish therur tërë delet.
I habitur e pyeta, se përse e bëri diçka të tillë?
Djali i gëzuar më tha:
-Si, t’i pëlqejë diçka mikut dhe unë mos t’ia ofroj pasi e zotëroj atë?
Më vjen turp nga vetja.
-Po ti me çfarë e shpërbleve,-i tha pyetësi?
-I dhashë disa deve dhe 500 kokë dele.
-Atëherë ti qenke treguar më bujar, se i ke dhënë shumëfish.
-Jo pasha Zotin, ai më ofroi gjithçka kishte, ndërsa unë i dhashë diçka nga ajo që zotëroja.
Kur dëgjon tregime të tilla, mendja të shkon menjëherë:
“Kush ta ketë udhëzuar dhe mësuar për një bujari të tillë kur dihet se ai s’ka qenë besimtar?”
Historia na ofron pak për nënën e tij Ineben, por mjaftueshëm për të kuptuar se nga buron ky virtyt i lartë te ky njeri.
Inebe kishte trashëguar një pasuri të majme nga babi i saj, vëllezërit duke parë se ajo ishte tepër dorëlëshuar me të tjerët dhe nga frika se mos do e shpërndante tërë pasurinë dhe të mbetej trokë vendosën ta izolonin duke mos lejuar të takohej me askënd dhe duke e ushqyer vetëm njëherë në ditë për t’ia bërë të qartë vlerën e pasurisë dhe frikën prej varfërisë.
Një gjendje e tillë vazhdoi për afro një vit, dhe pas një izolimi të gjatë ata e lanë të lirë duke i dhënë një sasi nga pasuria e saj për ta parë, nëse ka zënë mend.
Disa ditë pas lirimit të saj, vjen ta vizitojë një grua të cilën e ndihmonte vazhdimisht.
-Po ku je moj Inebe?
Kam afro një vit që të kërkoj, një varfëri e madhe na ka kapluar, fëmijët i ka mundur uria, ndërsa unë kisha shpresë se nuk do më harroje.
-A e sheh atë kopenë aty?
-Po,-ia ktheu ajo.
-Është e gjitha jotja dhe për çdo vit do e kesh një sasi të tillë.
Gruaja u largua duke e falënderuar dhe uruar, ndërsa Inebe iu drejtua vëllezërve të saj:
-E shikoni se përse jam dorëlëshuar?
Se ka njerëz që presin prej meje.
Vëllezërit ulën kokat, kuptuan gabimin e tyre jo vetëm që i dhanë pjesën e saj, por i dhanë dhe nga pjesa e tyre e pasurisë.
Caktimi i Zotit deshi që djali i saj, Hatim të vdiste para nënës së tij, shoqëria ku jetonte vendosi që titullin e bajraktarit pas Hatim ta gëzonte i biri.
Vëllai i tij erdhi tek e ëma për ta përgëzuar se flamuri i bajraktarit po qëndron sërish në familjen e tyre.
Ajo që e befasoi ishin fjalët e nënës:
-Ti do zësh vendin e tët vëllai?!
Kur kam lindur Hatimin, qëndroi disa ditë pa e marrë gjirin në gojë, derisa i dhashë për të pirë një tjetër foshnje, ndërsa ti biri im, jo vetëm që nise të pije menjëherë, por me dorën tjetër mbaje dhe sisën tjetër.
Bujari dhe bujaria janë të lavdëruar dhe të dëshiruar nga njerëzit, por dhe nga Zoti kur kjo bëhet në emër të Zotit.
Profeti alejhis selam, i pyetur nga Adiu i biri i Hatimit, për bujarinë e të atit pati thënë:
-A ka besuar ai o Adi?
-Jo,- ia ktheu ai.
-Atëherë ai ka realizuar atë që ka synuar (pra famën në mesin e njerëzve) Ahmedi32\29.
Në bujari duhet të kemi parasysh gjithmonë një rregull që thotë:
“Nëse i jep bujarit e sundon, e nëse i dhuron diçka të ligur vetëm se e mbrapshton.”
Esh-shiru uesh shuara 1/242,el'Egani 17/365, ujunul ahbar 1/336, alamun nisa 4/11, nisaun minel meshrikil arabi 72.
Fragmenti nga libri "Femra që bën histori" me autor Gentjan Mara